Foto: Denis Sllovinja

Arsimi në pandemi, LDK ka tri propozime

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i LDK-së, për organizimin e arsimit gjatë pandemisë, propozon tri pika.

Propozimi i parë i kësaj partie është që pas marrjes së opinionit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nga e hëna mësimi në shkolla të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt.

Pikë tjetër është që të përgatitet plani për organizimin e orëve mësimore shtesë gjatë verës, bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore, që duhet të koncentrohet në lëndët kryesore.

Si dhe kërkesa e tretë e LDK-së, është që deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit, në të gjitha nivelet duke përfshirë institucionet publike dhe private, “në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022”.

Kuvendi i Kosovës po mban vazhdimin e debatit parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.