Foto: REL/Reuters

Arsim Gërxhaliu vë në pikëpyetje pajisjen e QKUK-së me mjete mbrojtëse ndaj Koronavitusit

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka vënë në pikëpyetje  përgatitjen me pajisje mbrojtëse të stafit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se pajisjet mbrojtëse që i ka tashmë stafi në QKUK janë vetëm për t’u kujdesur karshi ndotjes së ajrit, por jo edhe nga virusi Korona.

Sipas Gërxhaliut, stafi mjekësor dhe pacientët duhet të kenë pajisje mbrojtëse sikurse ato që tashmë po përdoren në Wuhan ku edhe u paraqit ky virus.

“Mobilizim vetëm për ajrin e ndotur të Prishtinës ndoshta. Këto maska nuk e ndalin Coronavirusin, sepse është madhësisë 0.1 deri 0.2 mikron. Shpresoj të mos kenë ndonjë të infektuar me këto pajisje kolegët e respektuar. Fotoja 2 është korrekte, por nuk është te ne , por e bërë te vendet që me kohë i kane stornuar pajisjet e veprimit sipas STANDARDEVE, në rastet e paraqitura, këtadtrofat në masë etj. Shpresoj që këtë postim do e marrin seriozisht dhe te mos kursejnë për pajisje mbrojtëse të stafit shëndetësor dhe popullatës “, ka shkruar Gërxhaliu.

KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me drejtoreshën e Klinikës Infektive, Lendita Ajazaj-Berisha, por kontakti me të nuk ka qenë i mundur.

Virusi i ri, i cili ka origjinën në qytetin qendror kinez Wuhan dhe mund të shkaktojë një infeksion akut të frymëmarrjes akute të ngjashme me pneumoni.

Tani janë konfirmuar 801 vdekje në Kinë, një në Hong Kong dhe një në Filipine nga koronavirusi.

Vende të tilla si Koreja e Jugut, Tajvani, Tajlanda, Nepali, Vietnami, Arabia Saudite, Singapori, SH.B.A., Franca dhe Australia kanë konfirmuar të gjithë pacientët që janë prekur nga sëmundja.

Më shumë se 34 mijë e 800 njerëz janë infektuar me koronavirusin e ri në të gjithë botën, shumica dërrmuese në Kinë.

Muajin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) shpalli një emergjencë globale shëndetësore për shkak të koronavirusit.