Arsenijeviq: Kemi vërejtur se raporti i EULEX-it që i është dërguar Kombeve të Bashkuara është i fabrikuar
Në ditën e prezantimit nga Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) të raportit të monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, së bashku me disa anëtare të tjerë të partisë Demokracia Serbe protestuan para hotelit ku po mbahej konferenca gjatë të cilës u publikua raporti.
Aksioni i Arsenijeviqit dhe të tjerëve ka ardhur si rezultat i pakënaqësive të tyre ndaj raportit të EULEX-it për drejtësinë në Kosovë, duke e quajtur këtë raport si “të fabrikuar”.
“Kemi ardhur këtu në prezantimin e raportit të EULEX-it, kemi vërejtur se raporti publik që i është dërguar Kombeve të Bashkuara është i fabrikuar dhe ne konsiderojmë që shumë raporte të tyre në kohën e fundit janë të fabrikuara, që po paraqiten si partnerë të koalicion më këtë Qeveri” – ka deklaruar politikani Arsenijeviq për Kallxo.com.
Ndër të tjera Arsenijeviq përmendi edhe disa raste që sipas tij Policia e Kosovës ka shkelur ligjet e Kosovës dhe parimet e një shteti multietnik.
“Kemi ardhur këtu që të tregojmë rastet ku Policia e Kosovës shkel Kushtetutën e Kosovës, duke shkelur ligjet dhe principet e një Kosove multietnike dhe paraqiten si ndëshkues dhe hakmarrës me simbole nacionale dhe simbole te Shqipërisë së Madhe”- ka thënë Arsenijeviq.
Ndërkaq lidhur me këtë aksion foli edhe shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, i cili tha së EULEX-i është i hapur për bashkëpunim me çdo individ në Kosovë, mirëpo nuk mund të raportohet në veçanti për një rast pasi që këtë nuk e parasheh misioni i EULEX-it.
“EULEX vazhdon të jetë i hapur për bashkëpunim me secilin individ ne Kosovë që mund të ndihmojë në sundimin e ligjit. Nga ajo që është deklaruar mund të kuptoj edhe arsyen e kësaj proteste, e cila me gjasë ka të bëjë me frustrimin dhe zhgënjimin e mungesës se raportimeve publike nga EULEX-i për raste të ndryshme. Sot po publikojmë raportin publik të rezultatit të monitorimit. Kjo është mënyra se si ne punojmë, mandati ynë nuk parasheh raportim rast për rast” – ka deklaruar Barbano.
Në raportin e katërt të EULEX-it, gjetjet bazohen në monitorimin rigoroz të më shumë se 300 lëndëve dhe të dhënave të mbledhura nga institucionet e Kosovës, përfshirë këtu policinë, prokurorinë, gjyqësorin dhe shoqërinë civile në Kosovë.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, në prezantimin e raportit foli edhe për gatishmërinë dhe bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë treguar gjatë përpilimit të këtij raporti, duke lehtësuar procesin e këtyre gjetjeve.
Barbano konfirmoi edhe një herë së EULEX-i është partner i përkushtuar për Kosovën, por sipas tij lidershipi kosovar duhet të jetë më i përkushtuar.
“EULEX vazhdon të mbetet partner i përkushtuar për Kosovën, por përgjegjësia kryesore për përkushtimin e vërtetë i takon lidershipit të Kosovës”- deklaroi ai.
Këto raporte përfshijnë rekomandime specifike për institucione përkatëse.
Në raport ka vlerësime specifike sa i përket funksionimit të zinxhirit të drejtësisë në Kosovë.