Foto: REL/AFP

Arrin në 490 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Rreth 500 persona kanë vdekur në Kinë si pasojë e shpërthimit të koronavirusit të ri, derisa është raportuar për 24,324 raste të prekura nga ky virus deri më 4 shkurt.

Të gjitha 65 vdekjet e reja janë raportuar në provincën Hubei, duke rritur numrin e viktimave në 490.

Kjo ditë ka shënuar shifrën më të lartë të vdekjeve prej kur ka shpërthyer virusi në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor.

Miliona kinezë janë urdhëruar që të mos largohen nga shtëpitë e tyre, derisa pjesa më e madhe e provincës Hubei, që ka 50 milionë banorë, tashmë është izoluar.

Përveç Kinës, edhe shtetet tjera kanë raportuar persona të prekur nga koronavirusi.

Ky shpërthim ka shtyrë shumë qeveri, përfshirë atë të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që të prezantojnë kufizime të udhëtimit dhe pezullim të fluturimeve prej dhe nga Kina.

Ambasada ruse në Pekin ka thënë më 5 shkurt se 128 shtetas rusë janë evakuuar nga provinca Hubei.

Kjo epidemi, e cila është shpallur emergjencë globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, besohet se është rezultat i shitjeve ilegale të kafshëve të egra në disa tregje të Vuhanit./REL