Arrijnë në Preshevë tekste shkollore në gjuhën shqipe

Disa tekste shkollore në gjuhën shqipe kanë arritur në Luginën e Preshevës për këtë vit të ri shkollor.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili tha se kjo ka ardhur pas marrëveshjes mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të tij serb, tash presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Një lajm i mirë lidhur me sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit Shqiptarë në Luginën e Preshevës Një angazhim i yni disa vjeçar dhe një nga 30 zotimet tona elektorale ka sjell rezultat. Në bazë të dakordimit të ish-kryetarit të KNSH-së, të ndjerit Jonuz Musliu me Ministrinë e Arsimit të Serbisë në vitin 2016 si dhe përpjekjet e tona të përbashkëta në forumin e biznesit në qytetin e Nishit gjithashtu ne 2016, ku është arritur marrëveshja në parim në mes të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama me homologun e tij serb, se tekstet mësimore të adaptuara nga qendra ndërkombëtare për programe arsimore Cambridge të përkthyera në gjuhën shqipe, të sigurohen për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook Arifi.

Ai ka treguar se edhe me cilat libra janë furnizuar.

“Sipas informatave të fundit janë siguruar tekstet mësimore si Abetarja, Dituri Natyrore, Arti Figurativ (kl.1-2-3), Gjuha Shqipe (kl.2 deri 8 si dhe për 4 vitet në shkollën e mesme). Ndërsa 18 komplete tjera nga shkencat natyrore janë gjithashtu të kryera, por do të distribohen nxënësve tonë, pasi të paguhet taksa e licensimit të këtyre librave e caktuar nga Ministria e Arsimit për shtëpinë botuese Albas nga Presheva”, tha Arifi.

Megjithatë, ai tha se ka ende libra që ka mungesë të tyre.

“Sigurimi i teksteve shkollore të lartëpërmendur paraqet një zgjidhje gati të kompletuar, pasi tani mbeten vetëm të sigurohen librat në lëndën e historisë dhe gjeografisë të cilat duhen të jenë në përputhshmëri të plotë me historikun tonë Kombëtar Shqiptarë”, ka shkruar Shqiprim Arifi.

Ndërsa, ka vite që qytetarët e kësaj ane nuk kanë pasur mundësi të mësojnë me libra shqip.