Arrijnë në Kosovë mbi 38 mijë vaksina anti COVID-19

UNICEF ka njoftuar se sot në Kosovë kanë ardhur 38 mijë e 400 vaksina anti COVID-19 përmes programit COVAX.

Sipas një njoftimi në Facebook, shpërndarja e këtyre vaksinave do të bëhet sipas Planin Kombëtar të Vaksinimit të Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Sot, ne kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm drejt shpërndarjes së barabartë të vaksinave! 38,400 doza shtesë të vaksinës kundër #COVID19 sapo mbërritën në Kosovë përmes COVAX. Shpërndarja do të jetë në përputhje me Planin Kombëtar të Vaksinimit të Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në Mars 2021, Ministria e Shëndetësisë  zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar”, thuhet në njoftimin e UNICEF.

Sot ka filluar vaksinimi i personave  mbi moshën 65-vjeçare.

Vaksinimi do të bëhet të mërkurën më 12 maj në palestrën “1 Tetori”, në Prishtinë, për banorët e komunave nga Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Drenasi, Lipjani.

Ndërsa të premten, më 14 maj, dhe të shtunën, më 15 maj, vaksinimi do të bëhet në palestrën “1 Tetori”, në Prishtinë dhe në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në të gjitha komunat.

Vaksinimi në këto ditë do të bëhet nga ora 8:00 deri në 19:30.