Arrijnë në Kosovë mbi 140 qytetarë që kishin mbetur në ShBA

143 qytetarë të Kosovës që kishin mbetur në ShBA për shkak të pandemisë së COVID-19, sot janë ardhur në vend.

Kështu ka bërë të ditur ambasada e Kosovës në Uashington përmes një njoftimi.

“Sot në Prishtinë arriti fluturimi i riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me ndihmën e institucioneve të Republikës së Kosovës, 143 bashkatdhetarë të ngujuar në SHBA për shkak të pandemisë COVID-19 tashmë janë rikthyer në shtëpi”, thuhet në njoftim.

Ata sipas procedurave pritet t’i nënshtrohen karantinimit, ku do të qëndrojnë vetëm 7 ditë.

IKSHPK-ja ka vendosur që punëtorët shëndetësorë të QKMF-së, të përcjellin gjendjen shëndetësore të personave të vendosur në karantinë dhe të bëhet testimi i tyre në ditën e shtatë pas arritjes.

Personat që konfirmohen pozitivë me coronavirus, por janë pa shenja klinike, është vendosur që të mbahen në izolim deri në shërimin e plotë të tyre, e nëse kanë simptoma të rënda klinike, të hospitalizohen në Klinikën Infektive.

Ndërkaq ata të cilët konfirmohen negativë, rekomandohet të vetizolohen në shtëpi 14 ditë.