Arrijnë mbi 4 mijë doza të Pfizer në Kosovë, nesër rifillon vaksinimi

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot në Kosovë kanë arritur 4,680 doza të vaksinës Pfizer/Biontech kundër COVID-19.

Sipas njoftimit, kjo është pjesa e parë prej 95 mijë dozave të cilat BE-ja i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi”.

Sipas njoftimit të Ministrisë, vaksinimi do të rifillojë nesër, me 5 maj, me punëtorët shëndetësorë nga e tërë Kosova, të cilot do të vaksinohen në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.

Vaksinat e para  prej 28 mijë dozave në Kosovë kanë arritur në 28 mars 2021.