Arrijnë 7 mijë testet për coronavirus, porositen edhe 10 mijë të tjera

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia ka njoftuar se sot kanë mbërritur në Kosovë 7 mijë teste të reja të cilat do të shfrytëzohen për të detektuar sëmundjen CoVid – 19.

Poashtu, Vitia ka njoftuar se ka iniciuar edhe kërkesën për t’u furnizuar edhe me 10 mijë teste të tjera.

“Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR. Ato do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen CoVid – 19. Ndërkohë, u iniciua kërkesa për furnizmin edhe me dhjetë mijë teste të tjera”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ministri në detyrë, Arben Vitia.

Ai ka njoftuar se janë rreth 300 vullnetarë që janë duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor.

“Rreth 300 vullnetarë janë regjistruar dhe aktualisht janë në krye të detyrës duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor”, ka shkruar Vitia në mes tjerash.

Deri më tani në Kosovë kanë dalë 88 persona pozitiv me Koronavirus, ndërsa një person i moshën 82 vjeç ka vdekur.

Ndërsa është raportuar edhe për dy persona të shëruar tashmë nga Koronavirusi.