Arrihet ‘ujdia’ mes SBAShK-ut dhe Qëndron Kastratit për reformën në arsim

Kundërshtimet e Sindikatës së Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në lidhje me vendimin e kryetarit të Komunës së Kamenicës për mbylljen e disa shkollave kanë marrë fund.

Kjo pasi që sot është nënshkruar një Kontratë Kolektive mes kryetarit të kësaj Komune, Qëndron Kastrati dhe përfaqësuesve të SBAShK-ut.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook vetë Kastrati, ku ka thënë se kjo kontratë i hap rrugë rritjes së cilësisë në arsim.

“Kjo kontratë i hap rrugë rritjes së cilësisë në arsim sepse asaj po i bashkohet komuniteti i mësimdhënësve, mësuesit e profesorët. Rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe fakti se nënshkrimi i sotëm përbën kontratën e parë kolektive në nivel të ndërmarrjes. Problematikat e ngjashme në fushën e arsimit por jo vetëm, nuk do të trajtohen më individualisht, por kolektivisht dhe përmes sindikatës. Precedenti që kemi vendosur sot nuk është ai i kompromisit, por i bashkëpunimit. Kjo është e mundur sa herë marrëdhëniet midis nesh i kemi të ndërmjetësuara prej qëllimeve përparimtare. Dija e emancipimi janë të tilla”, ka shkruar Kastrati.

Ai theksoi se kontrata e nënshkruar sot me Sindikatën e Arsimit rregullon çështjen e risistemimit dhe mbron interesat e mësimdhënësit, duke siguruar që asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa të ardhura.

“Lajm shumë i mirë për prindërit e fëmijët, për të cilët shkolla tani e tutje do të jetë institucion serioz e atraktiv që përgatitë qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri. Komuna e Kamenicës dëshmoi që ndonëse me kapacitete të kufizuara, mund të marrë përsipër një reformë rrënjësore e të rëndësishme për të ardhmen e komunitetit të saj. Barazia sociale, mendimi kritik e zhvillimi i gjithëmbarshëm janë karakteristika të shoqërive që synojnë zhvillim e përparim”, ka shkruar Kastrati.

“Për mua personalisht, nisma për reformën në arsim dhe qëndrimi për një kauzë nga e cila përfiton nxënësi, është ndër detyrat më të rëndësishme për të cilat do të vazhdoj të angazhohem së bashku me grupet e interesit dhe komunitetin në tërësi. Jam i lumtur që në këtë rrugëtim sot na është bashkuar edhe SBAShK-u”, ka shtuar ai.

Kreu i Komunës së Kamenicës tha se ndihet i zhgënjyer që për shkak të interesave elektorale e personale, individë e grupe të caktuara u munduan të manipulojnë e bllokojnë reformën, që sipas tij kishte qëllim të mirë.

“I ftoj të gjithë ata të reflektojnë dhe të bashkohen në këtë rrugëtim sepse ky preokupim, ky angazhim dhe këto zhvillime janë të të gjithëve. Për nxënësin. Mua më zbrapsin idetë më të mira, zgjidhjet më efektive dhe puna më e madhe e kujtdo. Por jo ofendimet, kërcënimet e presioni. Edhe një herë falënderoj SBAShK-un dhe zotohemi që ASNJË mësimdhënës nuk do të mbetet pa të ardhura”, ka thënë Kastrati.

“Ky është vetëm fillimi. Transporti po vazhdon pa probleme. 🚌Pedagogët janë angazhuar.👨‍🏫 Këndi i leximit në shkollën “Dëshmorët e Kombit” është rregulluar.📚 Hapësira të këndshme e të rehatshme për nxënësit. Vazhdojmë me bibliotekën në Koretin e zhvillime të tjera. Për nxënësit. Me prindërit. Mësimdhënësit. Së bashku”, ka thënë në fund Kastrati.

SBAShK-u para disa ditësh kishte kundërshtuar disa herë reformën në arsim të ndërmarr nga kjo Komunë, duke paralajmëruar edhe protesta.

Ata madje kishin ftuar edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të reagojë.

SBAShK-u paralajmëron nesër protestë për mbylljen e shkollave në Kamenicë

SBAShK: MAShT-i të veprojë për reformën e shkollave në Kamenicë

 

Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë. Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Kamenicë, nuk respektohet vendimi i kryetarit Kastrati për mbylljen e shkollave

www.kallxo.com