Ilustrim

Arrestohet zyrtari komunal në Deçan, dyshohet se mori ryshfet nga mërgimtarët

Një zyrtar i Komunës së Deçanit është arrestuar sot nën dyshimin se ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Sipas Policisë, i dyshuari H.I., nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil, gjatë vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023, në tri raste përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla, rreth 1,800 euro.

“I dyshuari, të hollat i ka pranuar nga viktima e rastit J.J., nga Deçani, i cili jeton në Zvicër, me qëllim që të njëjtin ta regjistrojë në sistemin e gjendjes civile në Deçan”- thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim thuhet se në fund të muajit gusht 2023, në Facebook është publikuar edhe një pretendim se i dyshuari në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me qytetarin H.E., i cili jeton në Gjermani.

“Hetuesit policorë janë duke vazhduar me trajtimin e rastit përfshirë identifikimin dhe intervistimin e viktimës së dytë (H.E., nga Gjermania)”- thuhet në njoftim.

I dyshuari është arrestuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.