Arrestohet zyrtari i pensionuar komunal, i mundësoi shtetasit të Shqipërisë të pajisej me dokumente të Kosovës

Një person është arrestuar arrestuar sot nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë të Policisë së Kosovës nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

Sipas njoftimit, më 22 korrik të këtij viti Policia ka pranuar informacione relevante se një qytetar i cili jeton në një shtet tjetër i është drejtuar Ambasadës së Kosovës në atë shtet për t’u pajisur me dokumente personale të udhëtimit.

Pas verifikimit të të dhënave të personit në fjalë nga zyrtarët kompetentë janë ngritur dyshime që ndërlidhen me keqpërdorime të mundshme përmes falsifikimit të dokumentit zyrtar apo është vërejtur se ka ndërhyrje në të dhënat personale, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje thuhet se hetuesit rajonalë për krime ekonomike në Prishtinë pas pranimit të informatës, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe profesionale, duke zbuluar identitetin e saktë të shtetasit të Shqipërisë, i cili është pajisur me identitet të ri nga Kosova.

Policia ka zbuluar se i njëjti jeton në një shtet tjetër të huaj dhe se përmes lidhjeve miqësore me dyshimin e dhënies së ryshfetit ka gjetur në atë kohë personin e dyshuar M.B., zyrtar në administratën komunale (tani në pension). Pas hetimeve është vërejtur se emri i shtetasit të Shqipërisë është vendosur mbi identitetin e dikujt tjetër.

Me të gjitha këto gjetje gjatë fazës së hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se M.B. dyshohet se ka kryer veprat penale- keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikimi i dokumentit zyrtar.

I dyshuari me inicialet M.B. është ftuar për intervistë nga hetuesit kompetentë  sot dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar i njëjti ka lëshuar vendim për ndalim të të dyshuarit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.