Edon Cana, konsull i përgjithshëm në Bullgari Foto: Facebook

Arrestohet zyrtari i PDK-së, dyshohet se kanosi policët

Kryetari i Degës së PDK-së në Rahovec, Edon Cana është arrestuar me 2 prill nën dyshimin se kishte kërcënuar disa policë të cilët e kishin ndaluar atë në trafik.

Për Canën është hapur rast për vozitje në gjendje të dehur dhe kanosje ndaj policëve.

Rasti është mbajtur larg mediave nga Policia e Kosovës. Këta të fundit nuk kanë pranuar të japin identitetin e personit që është arrestuar në ora 1 pas mesnatës.

Zyrtarë të mediave të Policisë së Kosovës kanë konfirmuar incidentin por pa dhënë detaje për identitetin e personit të dyshuar.

Në prokurorinë e Gjakovës kanë konfirmuar ngjarjen.

Hekuran Batusha, bashkëpunëtor profesional në prokurorinë e Gjakovës i ka thënë KALLXO.com se E.C. është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Tutje ai ka shtuar se Cana është liruar në procedurë të rregullt pas kalimit të afatit ligjor të ndalimit prej 48 orësh.

“I dyshuari E.C është ndaluar për shkak të një aksidenti në komunikacion, i njëjti kishte qenë në gjendje të dehur dhe më pas ishte shoqëruar në polici” – thuhet në përgjigjet e Batushës.

Raporti 24 orësh i policisë mbi ngjarjen saktëson se kanosja u adresuar ndaj policëve që po merreshin me këtë rast.

Në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com  Edon Cana nuk ka mohuar incidentin.

“Ka qenë një aksident i vogël edhe nuk kam çka me shtu, është 30 euro dënim” – tha ai për KALLXO.com.

Cana nuk ka dhënë detaje të tjera kur është sfiduar me pyetjet për arrestimin dhe paraburgosjen e tij prej 48 orësh.

Komunikimi i gazetares me të ka përfunduar me mbyllje të telefonit pa dhënë detaje të tjera.

“Duhet me u rezevru prej, prej… qashtu jam i udhëzuar. Jo nuk mundem me fol” – ka përfunduar Cana.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës në Gjakovë, të cilët kanë treguar revoltimi i Canës në mbrëmjen e 2 prillit ka ardhur pas shqiptimit të gjobës nga ana e zyrtarëve.

Madje, Policia ka thënë se ish ambasadorit iu është konfiskuar edhe patentë shoferi.

“I dyshuari kishte qenë nën ndikim të alkoolit, andaj kanosjen e ka bërë ndaj zyrtarëve policor kur ata i kanë shqiptuar fletëparaqitje për drejtim të mjetit nën ndikim të alkoolit” – thuhet në raportin e Policisë.

Edon Cana ka qenë ambasador i Kosovës në Bullgari deri më 3 mars 2020.

Ai ishte shkarkuar nga pozita e ambasadorit, pas propozimit që u dha nga Glauk Konjufca, në atë kohë ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Edon Cana ka lidhje familjare edhe me ish-ambasadoren e Kosovës në Shteteve të Bashkuara të Amerikës ,Vlora Çitakun. Ai është i martuar me motrën e Çitakut.