Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Arrestohet zyrtari i Nismës Socialdemokrate që kërcënoi Albin Kurtin

Policia e Kosovës e ka arrestuar zyrtarin e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hotin, i cili përmes një komenti në Facebook ka kërcënuar me jetë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Arrestimin e Hotit e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Hoti është arrestuar si i dyshuar për shtytje në vrasje.

“Policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar në rrjete sociale dhe sipas detyrës zyrtare ka ndërmarrë veprimet konform autorizimeve ligjore duke trajtuar rastin si ‘shtytje në vrasje’. Të gjitha veprimet jane ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë Daut Hoxha.

“Personi i dyshuar është kërkuar dhe nuk është gjetur në shtëpi, të njëjtit i është lënë ftesa për paraqitje të menjëhershme në Polici dhe janë njoftuar të gjitha njësitet policore se kudo që takohet i njëjti të arrestohet. I dyshuari pas paraqitjes në Polici me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme”, ka shtuar zëdhënësi i Policisë.

Gjatë ditës së djeshme, anëtari i Nismës Socialdemokrate kishte publikuar një koment në Facebook ku bënte thirrje për vrasjen e Albin Kurtit.

Pak orë më vonë, Haxhi Hoti e kishte fshirë këtë koment dhe kishte kërkuar falje publike për atë status duke thënë se ai nuk është autori.

Ai madje i ka fajësuar mediat se pa lejen e tij e kanë publikuar shkrimin.

Kandidati për deputet i Nismës thotë se Albin Kurti mund të vritet në Kosovë

www.kallxo.com