FOTO: Ilustrim

Arrestohet vëllai i të dyshuarve për fajde në Prizren, frikësoi të dëmtuarin që iu kërkua kamata

Një person është arrestuar pasi që sipas policisë dyshohet se ka kërkuar dhe e ka frikësuar një person që të mos paraqes dëshminë e tij para prokurorisë në lidhje me një rast fajdeje ku të arrestuar janë dy vëllezërit e të dyshuarit.

KALLXO.com mëson se vëllai i I. M. dhe M. M., këta dy të fundit të arrestuar ditë më parë nën dyshimin për fajde, po dyshohet se ka frikësuar të dëmtuarin e rastit, për të cilin u arrestuan vëllezërit e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti  ka kërkuar nga viktima mashkull K/Shqiptar të mos paraqet dëshminë e tij para Prokurorisë  Themelore Prizren në lidhje me rastin fajde të përfshirë dy vëllezërit e të dyshuarit. I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia në raportin ditor.

KALLXO.com raportoi më 16 dhjetor se I. M. Dhe M. M. Të dy vëllezër janë arrestuar pasi sipas Prokurorisë Themelore ne Prizren kanë kërkuar nga i dëmtuari (në këtë rast viktimën e frikësimit) që “ose të  paguajë shumën e të hollave prej 50 mijë euro, ose duhet ta lëshojë shtëpinë e tij”.

Dosja e Prokuroria: Sa para fituan nga fajdet vëllezërit nga Prizreni?

Çka thuhet në dosjen e prokurorisë për vëllezërit dhe fajdetë

Mbi 14 mijë euro dyshohet të jetë shuma që një burrë nga Prizreni kishte paguar si kamatë për borxhin prej 37 mijë eurosh.

Prokuroria e Prizrenit dy ditë më parë urdhëroi një aksion të policisë që i vuri në pranga dy vëllezër (I. M. dhe M. M.) të dyshuar për fajde.

Sipas prokurorisë, i dyshuar I. M. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe i ka dhënë atij borxhin fillestar prej 3 mijë euro.

Më pas, i dëmtuari kishte marrë edhe borxhe të tjera që në total arrijnë shumën prej 37 mijë euro.

Prokuroria pretendon se i dyshuari I. M. ka kryer veprën penale Fajde sepse i dëmtuari për marrjen e këtij borxhi ka paguar kamatë në vlerë të përgjithshme prej 14, 700 euro.

Ndërsa i  dyshuari tjetër, M. M.  sipas Prokurorisë fillimisht i kishte dhënë të dëmtuarit borxhin prej 5.000 euro me normë mujore të interesit prej 25 përqind.

Ndërsa i dëmtuari B. Q. për borxhin e marrë në shumën totale prej 10 Mijë Euro ka paguar kamatë në vlerë të përgjithshme prej 11,250 euro.

Prokurorja Arijana Shajkovci ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj dy vëllezërve të dyshuar

Prokuroria në këtë rast kishte bërë edhe urdhër kontrolli në shtëpinë e të dyshuarve dhe në veturat e tyre, kjo me qëllim të sigurimit të provave materiale.

Prokuroria ka njoftuar se gjatë kontrollit janë sekuestruar arma e tipit GWD AREX me 17 fishekë në karikator, si dhe dokumente të ndryshme.

Sipas tyre, tek i pandehuri janë gjetur 2,000 euro të holla, një mbajtëse brezi për armë si dhe telefoni i tij.

Ndërsa, gjatë kontrollit të shtëpisë së përbashkët të të pandehurve dhe vëllait të tyre është gjetur arma gjysmë-automatike “Husan”, dy armët të tipit “Bereta”, 231 fishekë, karikatori me 18 fishekë, një laptop si dhe dokumente të ndryshme.