Otto John/ Foto: FC Prishtina

Arrestohet sulmusi i Prishtinës, Otto John

Klubi futbllistik FC Prishtina ka konfirmuar arrestimin e sulmuesit Otto John.

Sipas një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ekipi bën të ditur se John është dërguar të enjtjen në mbajtje nga Policia e Kosovës.

Për arsyet e arrestimit, Prishtina ka thënë se nuk është në dijeni por që sipas tyre, John do të lirohet nga paraburgimi nesër.

FC Prishtina thotë se i respekton organet e rendit, duke shtuar se nëse vërtetohet ndonjë aktakuzë “do të marrë masa në bazë të rregulloreve të brendshme brenda klubit”.

“FC Prishtina njofton opinionin publik se sulmuesi, Otto John, është dërguar të enjten 05.05.2022 në mbajtje nga Policia e Kosovës. Klubi nuk është në dijeni për arsyet e arrestimit ndërkohë që mësojmë si ai do të lirohet nga paraburgimi gjatë ditës së shtunë (07.05.2022). FC Prishtina i respekton organet e rendit dhe nëse vërtetohet ndonjë aktakuzë, do të marr masa në bazë të rregulloreve të brendshme brenda klubit”, thuhet në reagimin e plotë të skuadrës.

Policia e Kosovës sot në raportin 24 orësh, ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas nigerian i cili dyshohet për veprat “Trafikim me njerëz” dhe “Shërbime seksuale të viktimës së trafikuar”.

Sipas raportit policor, rasti kishte ndodhur më 5 prill të vitit 2022 mirëpo i dyshuari është arrestuar dje dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.