Një nga pikat kufitare

Arrestohet shtetasi bullgar, iu ofroi ryshfet zyrtarëve policor në kufi

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas bullgar në terminalin e pikës kufitare në Han të Elezit pasi i njëjti dyshohet se i ka ofruar ryshfet zyrtarëve policor.

“Me datë 02.04.21 rreth orës 01:00, në terminalin e pikës kufitare Hani i Elezit, është arrestuar një shtetas bullgar i lindur në vitin 1974 në Pazardzhik, mbi dyshimin e bazuar se i njëjti i ka ofruar ryshfet zyrtarëve policorë në shumën prej 20 njëzet euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, personi i dyshuar nuk kishte sigurim kufitar të Republikës së Kosovës dhe gjatë ofrimit të dokumenteve të nevojshme për kalimin e kufirit, i ka vendosur paratë në dokumente në formë ryshfeti me qëllim të kalimit kufitar.

Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme dhe ndaj personit të dyshuar sipas dispozitave ligjore kanë iniciuar rastin “Dhënie e Ryshfetit (mitos)” dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, shtetasi bullgar është ndaluar për 48 orë.