Policia e Kosovës

Arrestohet shoferi, në gjendje të dehur dyshohet se i pengoi policët që po ia shqiptonin gjobën

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Kaçanik, nën dyshimin se në gjendje të dehur i pengoi zyrtarët policorë që po ia shqiptonin gjobën.

Policia ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 23:10 në rrugën “Sali Bajra” në Kaçanik kanë ndaluar një automjet të udhëtarëve me targa vendore.

“Gjatë kontrollimit të dokumenteve të personit dhe automjetit, shoferi në gjendje të dehur nisë ti pengojë zyrtarët policor, tek po i shqiptonin një gjobë kundërvajtëse. Edhe pas shumë pëpjekjeve, urdhërave verbale të policisë, i njëjti nuk përfill urdhërat e policisë dhe i pengon ata në kryerje të detyrave” – thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje thuhet se të detyruar, policia e arreston personin B.L., i moshës 45 vjeçar, të cilin më pas e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe me vendim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

Rasti është cilësuar “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare”.