Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Arrestohet polici që plagosi një person në Graçanicë, Inspektorati rekomandon suspendimin e tij

Është arrestuar polici A.A., i cili sot pasdite kishte plagosur një person në Graçanicë me armë zjarri e cila ishte zyrtare, njofton Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas njoftimit të IPK-së, polici i stacionit policor të Graçanicës me vendim të prokurorit është arrestuar nga Inspektorati dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Inspektorati i Policisë ka rekomanduar edhe suspendimin e tij si pjesë e procedurave administrative.

IPK në koordinim me prokurorin kujdestar dhe disa njësi të tjera të policisë  ka përfunduar këqyrjen e vendit të ngjarjes.

“Bazuar në hetimet paraprake, hetuesit e IPK-së dyshojnë se në këtë rast se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës së zjarrit nga zyrtari policor duke gjuajtur në drejtim të veturës në lëvizje ku ndodhej i dyshuari por edhe dy persona të tjerë” shkruan IPK.

Sipas tyre, hetuesit e IPK-së do të hetojnë edhe lidhur me rrethanat e arratisjes nga stacioni policor i të dyshuarit të ndaluar nga policia.

“IPK  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast përderisa nga informacionet nga QKUK mësohet se i lënduari me armë të zjarrit është jashtë rrezikut për jetë” thuhet në njoftim.

Policia në lidhje me rastin kishte thënë se polici kishte përdorur armën për të ndaluar ikjen dhe shmangur arratisjen e të dyshuarit i cili ishte i kërkuar me urdhër arrest për sulm ndaj personit zyrtar.