Arrestohet polici që dyshohej për manipulim me prova në dhomën e dëshmive në Zubin Potok

Një zyrtar policor i cili tash e një kohë dyshohej se ishte jashtë Kosovës, gjatë ditës së djeshme është dorëzuar në polici e më pas është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Dyshimet ndaj tij janë se i njëjti ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të manipulimit me prova.

Dyshohej se polici që nga muaji shkurt i vitit 2020 ndodhej jashtë territorit të Kosovës.

“IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kishte filluar një hetim që nga shkurti i vitit të kaluar ndaj zyrtarit të dyshuar për veprat e lartcekura penale e që dyshohet t’i ketë kryer deri sa ka punuar në pozitën e zyrtarit përgjegjës për Dhomën e Dëshmive në Stacionin policor në Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas intervistimit zyrtari policor është arrestuar kurse me vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.