Ilustrim

Arrestohet polici i Kosovës, dyshohet për fajde dhe detyrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës ka arrestuar një zyrtar policor me gradën rreshter nën dyshimin se ka kryer veprat penale – fajde dhe detyrim.

Sipas njoftimit të IPK-së, informatat për rreshterin janë dhënë nga Policia Kufitare të cilët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë identifikuar të dyshuarin i cili ka rezultuar si person i kërkuar.

“IPK është njoftuar sot nga Policia e Kosovës, policia kufitare në ANP “Adem Jashari” ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar, zyrtari policor i cili ka rezultuar si person i kërkuar”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se prokurori kompetent ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë ndaj të dyshuarit.

IPK ka thënë se ky arrestim është vazhdimësi e hetimit dhe operacionit të datës 22 shkurt 2022 të zhvilluar nga Drejtoria e për Hetime e Krimit të Organizuar në Prishtinë dhe Prokuroria Themelore në Pejë.

Sipas IPK-së në operacionin e lartcekur janë arrestuar 17 persona të dyshuar për veprën penale të fajdes dhe detyrimit .

“Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, është thënë tutje.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht lidhur me arrestimin e 17 personave.

Dosja e Prokurorisë së Pejës kishte treguar për provat që i kishte grumbulluar Prokuroria përmes masave të fshehta të hetimeve.

Të pandehurit, sipas dosjes, ishin kapur në flagrancë. Sipas videoincizimeve të siguruara përmes masave të fshehta të pandehurit shihen duke i marrë shumat e parave në emër të interesit nga ana e viktimave.

Po ashtu, këto incizime përfshijnë edhe pohimet e të pandehurve se kanë marrë këto shuma të të hollave me herët.

“… ku shihen veprimet e të pandehurve në marrjen e shumave të ndryshme të parave në emër te interesit nga viktimat këtu apo duke i pohuar marrjen në këtë forme të parave me herët, sikurse kanosjet serioze te drejtuara viktimave me qëllim detyrimi në pagesën e interesit”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria kishte arritur të siguroje edhe 20 CD të përgjimit të bisedave, kontrata të shumta, fatura e shënime.

Për 17 të dyshuarit ishte mbajtur seanca dëgjimore.

17 të dyshuarit janë: Kismet Krasniqi, Isë Camaj, Sokol Dembogaj, Besnik Mehmetaj, Besnik Lajqi, Driton Podrimqaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alimuaj, Astrit Grabovci, Petrit Kastrati, Valon kastrati, Alush Bajraktaraj, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj dhe Astrit Kastrati.

Në anën tjetër Gjykata e Pejës kishte caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit e arrestuar për fajde dhe detyrim.

KALLXO.com kishte kuptuar se Gjykata kishte vendosur masën e paraburgimit për 16 prej 17 të arrestuarve gjatë aksionit kundër të dyshuarve për fajde dhe detyrim.

Paraburgim për 16 të arrestuarit në Pejë për fajde dhe detyrim