Arrestohet polici, dyshohet se sulmoi një person pas një mosmarrëveshje në trafik

Një zyrtar policor fillimisht është arrestuar e më pas edhe është suspenduar nga detyra pas një ngjarje në të cilën dyshohet se ishte i përfshirë mbrëmjen e kaluar.

Zyrtari policor së bashku me një qytetar tjetër dyshohet se kanë sulmuar një person tjetër në komunikacion.

Kjo pasi që fillimisht siç ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës, dje në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më dëme materiale në mes dy automjeteve ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor.

Në atë kohë ai ishte jashtë detyrës zyrtare me veturë private.

Sipas informacionit të pranuar IPK ka njoftuar tutje se palët e përfshira në këtë aksident nuk kanë arritur të gjejnë mirëkuptim lidhur me mënyrën e procedimit dhe për këtë arsye e kanë njoftuar policinë.

Në ndërkohë para se të arrinte njësia e patrullës policore si rezultat i fjalosjes dhe mosmarrëveshjeve dyshohet se nga dy të dyshuar përfshirë këtu zyrtarin policor jashtë detyrës zyrtare, është sulmuar njëra palë e përfshirë në këtë aksident.

Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar.

Pas këtyre veprimeve hetimore me dyshimin se kanë kryer veprën penale të sulmit, janë arrestuar dy të dyshuar (përfshirë edhe zyrtarin policor) ndaj të cilëve prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë.

Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna.