Ish-ministrja kroate e arrestuar Gabrijela Zalac.

Arrestohet për korrupsion ish-ministrja kroate për fondet e BE-së

Ish-ministrja e Kroacisë për Zhvillimin Rajonal dhe Fondet e BE-së nga viti 2016 deri në vitin 2019, Gabrijela Zalac, e kaloi natën e së mërkurës në paraburgim pasi ajo, drejtori i Agjencisë Qendrore të Financave dhe Kontraktimit SAFU, Tomislav Petric, dhe dy sipërmarrës u arrestuan të mërkurën si pjesë e një operacion nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian EPPO në Kroaci, një mbikëqyrës i BE-së që monitoron se si shpenzohen fondet e BE-së.

Të katërt dolën para një gjyqtari të enjten. EPPO ka të ngjarë të kërkojë që ata të qëndrojnë në paraburgim, nga frika e pengimit të hetimit, raportoi gazeta N1.

Ata u arrestuan për një çështje të koduar “Software”. EPPO Kroaci tha se po mblidhte prova për katër personat në bashkëpunim me zyrën e policisë kundër korrupsionit PNUSKOK. Të katër dyshohen për krime të kryera në ministri dhe SAFU në lidhje me mbipagesën për prokurimin publik të një sistemi informacioni, njoftoi agjencia kroate e lajmeve HINA.

Çështja ka të bëjë me dizajnin e softuerit, të cilin Ministria për Zhvillim Rajonal dhe Fondet e BE-së ia dha kompanisë Ampelos kur Zalac ishte ministre.

Tre javë më parë, me urdhër të EPPO, policia kreu disa kontrolle në ministri dhe sekuestroi dokumente në lidhje me kontratën e Ampelos.

Portali i lajmeve Telegram për herë të parë e publikoi historinë verën e vitit 2019, duke pretenduar se Zalac, në atë kohë Ministre  Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, pagoi 13 milionë kuna, rreth 1.7 milionë euro, për softuerin kostoja fillestare e të cilit ishte 2.9 milionë kuna, rreth 400,000 euro.

Policia njoftoi gjithashtu se do të hetojë kërcënimet e bëra dje ndaj gazetarit të Telegram Drago Hedl. Mario Zalac, bashkëshorti i ish-ministres së arrestuar, ka kërcënuar të mërkurën gazetarin ndërsa policia po kontrollonte shtëpinë e tyre. Ngjarja ka ndodhur në Vinkovc ku policia nisi kontrollin e dy veturave të parkuara jashtë shtëpisë së ish-ministres.

Shoqata Kroate e Gazetarëve e dënoi një sjellje të tillë dhe përsëri u kërkoi institucioneve përkatëse të reagojnë ndaj kërcënimeve të hapura ndaj gazetarëve. Hedl është një gazetar i vlerësuar me çmime.

Rënia e ish-ministres filloi në vitin 2019 kur ndodhën disa probleme. I pari ishte një aksident automobilistik që ajo shkaktoi në mars 2019, duke drejtuar makinën pa leje drejtimi, e cila i kishte skaduar dy vjet më parë. Nga aksidenti ka mbetur e plagosur një vajzë 10-vjeçare. Media më pas zbuloi një Mercedes në oborrin e shtëpisë së saj që ajo nuk e kishte raportuar në “deklaratën e saj për deklarimin e detyrueshëm të pasurisë”.

Automjeti ishte në pronësi të një biznesmeni nga Shibeniku Josip Stojanovic Jolly dhe u pa i parkuar para shtëpisë së Zalacit në Vinkovci.

Media më pas zbuloi se Zalac i kishte dhënë një kontratë të kushtueshme një kompanie me vetëm një punonjës. Në fund të gushtit 2020, ajo u bë temë e mediave edhe një herë pasi dyshohet se i kishte bërë presion Josipa Rimac, ish-sekretares së shtetit dhe dikur kryetare e bashkisë së Kninit, që të rregullonte rezultatin e provimit të shërbimit civil të vëllait të saj, në mënyrë që ai të kalonte.

Pas arrestimit të Zalac, opozita kritikoi sërish Bashkimin Demokratik Kroat të qendrës së djathtë, HDZ, duke pretenduar se “nuk ka asnjë ndryshim midis HDZ-së së Sanaderit dhe asaj të Plenkoviçit”. Ish-kryeministri dhe kreu i HDZ-së, Sanader, ndodhet në burg që nga viti 2019 për vepra të ndryshme korrupsioni.

Kryeministri i HDZ-së, Andrej Plenkoviç, thjesht e komentoi arrestimin, duke bërë thirrje për “një prezumim të pafajësisë” dhe duke shtuar se ai ishte “i befasuar nga lajmi”. (reporter.al)