Foto: KALLXO.com Ilustrim

Arrestohet për falsifikim të parave, të dyshuarit i gjendet substancë narkotike në shtëpi

Policia e Prizrenit ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka lëshuar katër kartëmonedha të falsifikuara, nga 500 euro në biznese të ndryshme në këtë qytet.

Sipas njoftimit, Policia dje ka zbatuar urdhëresën për kontrollim të shtëpisë së të dyshuarit në Podujevë dhe është  gjetur substanca narkotike që dyshohet të jetë marihuanë me peshë 8.02 gram.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrollimit të shtëpisë, nuk është  gjetur kartëmonedha tjera të falsifikuara.

“Për substancat narkotike të gjetura është iniciuar vepra penale ‘posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’”, thuhet në njoftim.

Sipas PK-së, i dyshuari  gjate intervistimit për dy rastet ka pranuar veprën penale.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore dhe me pas është lëshuar aktvendimi për ndalim 48 orë, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Përmes këtij njoftimi Policia kërkon nga bizneset apo qytetarët që të jenë të kujdesshme kur pranojnë shumë të tilla të monedhave gjatë shitjes apo blerjes së mallrave, pasi sipas Policisë kohët e fundit ka pasur raste të shpeshtuara të falsifikimit të parasë të cilat janë vënë në qarkullim.