Ilustrim

Arrestohet për fajde, kërkonte 43 mijë euro më shumë se borxhi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në veprën penale ‘fajde’.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari i kishte dhënë një personi 55 mijë euro, i cili kishte arritur të ia kthej 58 mijë euro.

Mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme për të dyshuarin. Ky i fundit i kishte kërkuar edhe 40 mijë euro shtesë.

“Dyshohet se një person  kishte marrë nga i dyshuari një shumë prej 55,000.00 €. Ai kishte arritur t’ia kthente 58,000.00 € të dyshuarit, ndërsa i dyshuari në formë të interesit-kamatës ka kërkuar nga viktima edhe 40,000.00 € të tjera që do të thotë se fitimi jo-proporcional është në vlerë prej 43,000.00 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjilanit, me masa të fshehta është bërë simulimi i veprës penale, ku i dyshuari ka pranuar 5 mijë euro të tjera.

“I dyshuari,  pas pranimit të parave bazuar në simulimin e veprës penale, është ndaluar nga hetuesit policor të NJHRKEK-Gjilan, tek i dyshuari  janë gjetur dhe sekuestruar paratë që janë përdorur për simulim të veprës penale (5,000.00 euro)”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

I dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndalur për 48 orë.