Ilustrim

Arrestohet pasi tentoi të shesë pronën e tjetërkujt me autorizim të falsifikuar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për falsifikim të dokumentit noterial. Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Sipas komunikatës së Policisë, i dyshuari ka tentuar të lidhë kontratë në noteri për shitblerje të pronës në vlerë rreth 800 mijë euro përmes dokumentit të falsifikuar.

Në komunikatën e Policisë thuhet se dokumenti është noterizuar nga një noteri në Prizren dhe me autorizim të falsifikuar ka tentuar të lidhë kontratë te një noteri tjetër në Prishtinë.

Hetuesit policorë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në rajonin e Prishtinës, pas ndërmarrjes së veprime të nevojshme profesionale hetimore kanë siguruar dëshmi relevante nga kompetentët, duke konfirmuar se prona e cila ka qenë objekt i shitblerjes (është në pronësi të dikujt tjetër dhe jo të personit që ceket në autorizimin e falsifikuar) dhe me këtë dëshmohet dyshimi i kryerjes së veprës penale.

Hetuesit kanë siguruar prezencën e personit të dyshuar i cili është intervistuar dhe mbi bazën e këtyre dëshmive është krijuar dyshimi se me këto veprime i dyshuari me iniciale Sh.B. dyshohet se ka kryer veprat penale – mashtrim dhe – falsifikimi i dokumenteve.