Arrestohet një zyrtar komunal në Gjakovë – Dyshohet për ryshfet
Një person është arrestuar më 21.08.2024 në Gjakovë.
KALLXO.com merr vesh se personi i arrestuar është zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Gjakovës.
I arrestuari dyshohet se është përfshirë në veprën penale ‘Marrje ryshfeti’.
Arrestimin e ka kryer Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Gjakovë, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Bajram Krasniqi.
“Rasti është trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë, me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – deklaroi Krasniqi.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Komunës së Gjakovës, Artan Haraqia për ta pyetur për rastin.
Haraqia thotë se nuk mund të deklarohen për këtë rast sepse nuk kanë marr informacione zyrtare.
“Për momentin nuk kemi asnjë info zyrtare në lidhje me rastin. Prandaj edhe nuk mundemi me u deklaru asgjë” – deklaroi shkurtimisht Haraqia kur u pyet rreth këtij rasti.