Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestohet një zyrtar i gjendjes civile në Lipjan, dyshohet se ua vodhi identitetin 4 qytetarëve të Kosovës

Një zyrtar i gjendjes civile në Lipjan është arrestuar nën dyshimin se ka regjistruar katër shtetas të Republikës së Shqipërisë në ‘Librin Amëz të Lindurve’ dhe ka lëshuar certifikatë lindje, duke ua vjedhur identitetin katër shtetasve të Republikës së Kosovës.

Zyrtarë policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, pasi kanë siguruar informata nën dyshimin e kryerjes së veprimtarisë penale nga një i dyshuar, sot më 05.11.2021, të njëjtin e kanë shoqëruar për intervistim, thuhet në njoftimin e Policisë.

B.L., (1970) më këto veprime dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari në konsultim dhe koordinim me prokurorin kujdestar është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit, dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.