Foto: Ilustrim

Arrestohet një shtetas maqedonas për vrasjen e Bakush Veselit me breshëri plumbash në një lokal në Gjilan

Një tjetër person është arrestuar për veprën penale vrasje e rëndë që ka ndodhur muaj më parë në një lokal në qendër të Gjilanit.

Gjatë ditës së sotme policia ka njoftuar se i arrestuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Deri më sot që nga dita kritike janë arrestuar pesë persona të cilët dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen.

Muajin e kaluar në pranga kishte rënë për të njëjtin rast edhe Lirim Jakupi. Tutje siç mësohet, Prokuroria në Gjilan ka siguruar prova të mjaftueshme për Jakupin për veprat që i ngarkohet.

Në shtator të vitit të kaluar Bakush Veseli ishte vrarë deri sa po qëndronte në një lokal në rrugën “Bulevardi i Pavarësisë” në Gjilan.

Ndaj Veselit ishin zbrazur dy karikatorë ndërsa në atë kohë ishin arrestuar tre persona.

Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?

Në vendimin e Gjykatës thuhet se ndaj tani të ndjerit Bakush Veseli janë shkrepur 9 fishekë.

Tutje në vendim thuhet se pasi të dyshuarit i janë afruar të ndjerit në një afërsi prej gjysëm metri, fillimisht i pandehuri me armën e kalibrit 9 mm ka shkrepur 8 fishekë, kurse pas tij, i dyshuari tjetër me armën e kalibrit 7.65 mm ka shkrepur duke e goditur të ndjerin 9 herë.

Prokuroria dje ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitjeje paraprake, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta Bakush Veselin, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës “Audi A3” dhe janë ndalur te një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i janë afruar të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Ndalohet Lirim Jakupi për vrasjen që kishte ndodhur vitin e kaluar në një kafene në Gjilan