Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në komunën e Istogut më 1999
Një person i nacionalitetit serb, është arrestuar nën dyshimin për krime lufte në komunën e Istogut në vitin 1999.
Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar T.P., më 12.09.2024, me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas Policisë, i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth muajit mars të vitit 1999, në komunën e Istogut ka kryer vepra të ndryshme penale duke përfshirë, plaçkitjen dhe shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim, bashkëpunim dhe me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot më 12.09.2024, ka arrestuar të dyshuarin T.P., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile’, vepër kjo e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”- thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të çështjes, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar tek gjyqtari i Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë në gjuhën angleze, e gjeni në linkun këtu.