Foto: Kallxo.com

Arrestohet një rreshter i policisë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Një zyrtar policor me gradën rreshter është arrestuar gjatë ditës së sotme nën dyshimet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se fillimisht kishin pranuar disa informacione rreth dyshimeve për përfshirjen e rreshterit në veprimtari penale.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë .

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.