Ilustrim
Arrestohet një pronar i një barnatoreje, dyshohet se shiste barna pa banderolë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arreston një person, pronar i një barnatoreje, i cili dyshohet se ka shitur barna pa banderolë.
Sipas policisë, i arrestuari dyshohet se i ka vënë në lajthitje pacientët pasi ka vendosur banderola të falsifikuara.
“Pas disa veprimeve hetimore/operative, përmes hetuesve kompetent kanë arrit të sigurojnë informata në lidhje me një aktivitet kriminal për personin e dyshuar me iniciale (A. V.),në cilësi të pronarit të një barnatoreje, i cili duke shitur produkte medicinale të dyshuara si të kontrabanduara (barna pa banderola të Republikës së Kosovës), me banderola të shteteve tjera, si dhe me banderola të falsifikuara me qellim të vënies në lajthim të pacientëve (kinse janë me banderola të rregullta)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit, i dyshuari ka arritur që të përfitoj materialisht në aspektin personal dhe njëkohësisht duke i rrezikuar potencialisht shëndetin e përgjithshëm’.
Tutje policia sqaron se hetuesit policor, pas ndërmarrjes së veprime të nevojshme hetimore dhe operative kanë siguruar dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.
Në njoftim bëhet e ditur se pas përfundimit të kontrollit të barnatores nga Inspektorët Farmaceutik, është siguruar prezenca e personit të dyshuar i cili është shoqëruar në polici.
“I njëjti është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar dhe mbi bazën e këtyre dëshmive është krijuar dyshimi se: Më këto veprime i dyshuari (A.V.) dyshohet se kanë kryer veprën penale: “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së)”, thuhet në njoftim.
Tutje policia sqaron se në konsultim dhe koordinim me Prokurorin Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i dyshuari i lartcekur (A.V.) me vendim mbi ndalimin është dërguar në mbajtje për 48 orë.