Foto: Kallxo.com

Arrestohet një polic për keqtrajtim

Një zyrtar policor i stacionit policor “Qendra” është arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës

Polici po dyshohet për keqtrajtimin e një personi gjatë reagimit në një incident ndërsa KALLXO.com mëson se i njëjti është arrestuar mbrëmë pas mesnatës.

Polici i arrestuar më pas është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë se Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Prishtinës janë duke hetuar incidentin dhe arrestimin e një qytetari nga ana e pjesëtarëve të policisë të Njësitit të Mbrojtjes së Afërt të Presidentit Thaçi.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme dhe sot se qytetari Veron Hasani, për të cilin u tha se ishte aktivist i LVV-së, ishte ndaluar pasi që e kishte quajtur hajn presidentin Thaçi teksa ky po mbante një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Teksa policët po e çonin në veturë Veron Hasanin dy qytetarë të tjerë tentonin t’i pengonin policët, duke kërkuar prej tyre se cila ishte arsyeja e arrestimit të tij.

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se truprojet e presidentit Thaçi kanë goditur dhe kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin e tyre, Veron Hasani dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

Kurse, Thaçi ka theksuar mbrojtja e tij e afërt “ka bërë punë të shkëlqyer” në ndërhyrjen ndaj protestuesit.