Arrestohet një polic, një gardian dhe një qytetar, u përfshinë në një incident

Një polic, një gardian i burgjeve dhe një qytetar janë arrestuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Të njëjtit janë përfshirë në një incident ku kanë pësuar edhe lëndime trupore.

KALLXO.com mëson se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, të dyshuarit ishin përfshirë në një rrahje, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës kishte filluar hetimin pas marrjes së një ankese.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK siç mëson KALLXO.com i janë përgjigjur rastit duke bërë edhe arrestimin e të dyshuarve dhe me urdhër të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjithashtu KALLXO.com mëson se zyrtari policor i përfshirë në rast është suspenduar me rekomandim të IPK-së.