Arrestohet një polic i Mitrovicës së Veriut, IPK jep detaje

Një zyrtar policor inicialet e të cilit janë D. K., i cili punonte në Drejtorinë e Mitrovicës së Veriut, është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Inspektorati Policor i Kosovës.

IPK ka dhënë detaje në lidhje me rastin duke thënë se kishin pranuar informacion se i njëjti zyrtar policor ishte përfshirë në një aktivitet të kundërligjshme.

“Bazuar në të dhënat fillestare të pranuara, i dyshuari (zyrtari policor me inicialet D.K) ka kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Pas marrjes së informacionit, hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që ka përfshirë grumbullimin e informacioneve shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Polici dyshohej se ka kryer veprat penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Për këtë rast, IPK kishte ndërmarrë edhe masa të fshehta me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Kjo urdhëresë është zbatuar sot nga hetuesit e IPK-së të cilët janë asistuar edhe nga njësi të specializuara të Policisë së Kosovës dhe ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit – zyrtarit policor D.K  ( pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësinë Reaguese të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Veriu)”, thuhet në njoftimin policor.

Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12 mijë e 500 euro të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi/viktima.

Të dyshuarit të arrestuar nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.