Foto: Policia e Kosovës

Arrestohet një person, tentoi t'i fusë në Kosovë pesë shtetas nga Bangladeshi

Pesë shtetas të Bangladeshit kanë tentuar mbrëmë që të futen në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale.

Lokacioni i tyre, siç thotë Policia e Kosovës, ka qenë Prishtina.

Rrugën nga pjesa e quajtur “Foleja e Shqiponjës”, që është pjesë malore në kufi të Kosovës dhe Serbisë, këta shtetas kishin planifikuar që ta bënin me një taksi me targa vendore.

Vozitësi i këtij taksi, sipas Policisë, është arrestuar e më pas me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pak para mesnatës së mbrëmshme, rreth orës 23:40.

Pesë emigrantët ishin vërejtur nga patrulla policore nga Stacioni për Mbikëqyrjen e Kufirit në Vërmicë.

“Gjatë vëzhgimit, janë vërejtur pesë persona të cilët nga pjesa e malit, zbrisnin në drejtim të autostradës ku po i priste një veturë TAXI me targa vendore. Bëhet fjalë për pesë persona, shtetas nga Banglladeshi, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe qëllim kishin emigrimin në shtetet të perëndimit”, ka thënë Policia.

Ndërsa, migrantët janë dërguar në Qendrën e Azilit, ndaj të cilëve është thënë se do të vazhdohet me procedurat e parapara për raste të tilla.