Arrestohet një person, qëndroi me veturë afër objektit të AKI-së

Forcat e rendit kanë bllokuar rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, përkatësisht afër Objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Një person i dyshuar ishte ndalë me veturë, derisa rreth orës 06:15 i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Sot, 09 tetor 2020, rreth orës 06:15, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën Prishtinë drejtimi i Fushë Kosovës, gjendet një person i dyshuar me një veturë”, ka thënë Policia e Kosovës në një njoftim për media.

Njësitet tjera përkatëse të forcave të rendit po vazhdojnë hetimet rreth veturës.

“Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme në vendin e ngjarjes, ku personin e  dyshuar e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor. Në vendin e ngjarjes janë dalë edhe njësitet kompetente policore të cilat janë duke kryer veprimet e mëtejme policore. Rruga në drejtim të Fushë Kosovës është bllokuar, përderisa të përfundojë kryerja e vendshiqimit të vendit të ngjarjes”, thuhet në fund të njoftimit.