Arrestohet një person për vrasje të pasluftës

Prokuroria Themelore e Pejës dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë kanë bërë të ditur se sot rreth orës 10:00, në komunën e Klinës, me autorizim të prokurorit të shtetit, është arrestuar nga hetuesit rajonalë në mbështetje të Njësitit për Reagim të Shpejtë një person i dyshuar për një rast të vrasjes në vitin 1999 (pas luftës).

I dyshuari pas arrestimit është intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe ai me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.

Sektori Rajonal i Hetimeve i Policisë së Kosovës në Pejë për të dyshuarin ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, kurse prokurori i shtetit për të dyshuarin ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës, Departamenti për Krime të Rënda.

Ky rast në Prokurorinë Themelore të Pejës ka qenë në rastet e shënjestruara të vrasjeve të pasluftës të ndodhura në kompetencën territoriale të këtij institucioni, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë.