Arrestohet një person për mashtrim ndaj KEK-ut në tenderin për dezinfektues

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person për mashtrim me një tender ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, vlera e tenderit e cila ishe 26 mijë e 336 euro.

Sipas njoftimit të policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit më 1 prill ka pranuar një informatë se në një tender të KEK-ut për furnizim me dezinfektues për duar, ka dyshime për keqpërdorime dhe veprimtari penale nga kompania fituese e tenderit.

“Dyshohet se dezinfektuesi që kompania fituese nuk i përmbush kriteret e kërkuara, pasi që dyshohej se përmbajtja e alkoolit në dezinfektues të duarve nuk ishte 70% alkool, ashtu siç ishin kriteret (kërkesa). Hetuesit policorë kanë bërë testimin dhe ekspertizën e dezinfektuesit në laboratorin e licencuar të Doganës së Kosovës dhe rezultati del se: dezinfektuesi kishte përmbajtje vetëm 40 % alkool”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, me këto veprime pronari i kompanisë me iniciale Sh.D. dyshohet se ka kryer veprën ‘mashtrim i konsumatorëve’.

“I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit policorë, me aktvendim nga prokurori kujdestar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me këtë tender dhe tre të tjerë që Korporata Energjetike e Kosovës kishte nënshkruar, për paisje mbrojtëse kundër COVID-19.

Dosja- Në emër të COVID19, gjysmë milioni euro shpenzohen në kontrata pa konkurrencë