Ilustrim
Arrestohet një person për kanosjen e gazetarëve të portalit 'Mitropol'
26.7.2024 - 16:42
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari F. A. nga Vushtrria, pasi i njëjti dyshohet se kishte kanosur gazetarët e portalit “Mitropol” nga Mitrovca.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari është arrestuar sot, më 26.07.2024 pasi i njëjti i kishte kanosur gazetarët e këtij portali në lidhje me një shkrim të portalit për vendosjen e një mini-parku argëtues në sheshin e Vushtrrisë.
“Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje bëhet e ditur se i dyshuari, me vendim të prokurorit gjendet në ndalim prej 48 orësh.