Ilustrim

Arrestohet një person për falsifikim të dokumenteve

Një person është arrestuar në dyshimin për legalizim dhe falsifikim të dokumenteve personale.

Me urdhër të Gjykatës së Prishtinës sot është kontrolluar një banesë në të cilën personi i dyshuar kishte në posedim dy dokumente identifikuese me fotografi të njëjtë, por me të dhëna të ndryshme.

“Dokumentacionet në fjalë ishin një pasaportë dhe një letërnjoftim i RKS-së me të dhënat e emrit-inicialet (M. S.), kurse dokumenti tjetër ishte një letërnjoftim i një shteti tjetër me të dhënat e emrit-inicialet (M. M.)”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se personi i lartcekur kishte në posedim veturë me targa të një shteti tjetër dhe i njëjti nuk posedon leje të vozitjes. Gjatë kontrollimit të këtij personi janë gjetur sende të dyshuara që gjatë hetimit të mëtutjeshëm mund të lidhen me veprimtarinë e dyshuar të këtij personi.

Gjatë kontrollimit të banesës dhe veturës janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: aparat për detektimin e kamerave dhe senzorëve, dy thika, një shtëpizë kompjuteri, shtatë telefonë celularë të llojeve të ndryshme, kartela telefoni të shtetit të Serbisë dhe të Kosovës, para “cash” me vlerë 2,675 euro, lira turke me vlerë 45, dokumente të identifikimit të dyshuara të falsifikuara letërnjoftim i një shteti tjetër, pasaportë dhe letërnjoftim i Kosovës, fatura të ndryshme, fletore për evidencë, vetura Renault Clio me targa të huaja.

Me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria e Prishtinës të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve.