Arrestohet një person në Vushtrri, tërhoqi tri herë këmbëzën e armës në drejtim të viktimës por nuk i shkrepi

Një person është arrestuar nën dyshimin se pas një përleshje fizike që kishte pasur me viktimën, i ka drejtuar armën atij.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës është thënë se ngjarja ka ndodhur dje në Vushtrri, rreth orës 16:00.

Policia ka thënë se sipas viktimës, i dyshuari ka tërhequr tri herë këmbëzën e pistoletës, por nuk i ka shkrepur.

Tutje është thënë se gjatë ballafaqimit, viktima ka arritur që t’ia marrë pistoletën të dyshuarit dhe ia ka dorëzuar njësive policore.

“Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar dy fishekë cal-7.65 mm” – ka thënë Policia.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt