Arrestohet një person në Pejë, dyshohet për dhunimin e një familjareje

Një 29-vjeçar është arrestuar më 04.12.2024 nga Policia në Pejë nën dyshimin se ka kryer veprën penale – dhunimi.

KALLXO.com mëson se viktimë në këtë rast dyshohet të jetë një familjare e të dyshuarit.

Rastin tashmë e ka marrë në trajtim Prokuroria e Pejës.

Prokurori Ersan Qavolli pas arrestimit dhe ndalimit të personit të dyshuar ka kërkuar që ndaj tij Gjykata të shqiptojë masën e paraburgimit.

KALLXO.com ka siguruar dosjen, e cila shpjegon dyshimet e ngritura ndaj të dyshuarit 29-vjeçar me inicialet E.I.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 28.11.2024, e në raportin e shpejtë të Policisë thuhet se te shtëpia e viktimës ka shkuar i dyshuari, i cili me forcë ishte futur brenda shtëpisë, madje edhe e kishte dëmtuar atë.

Viktima, siç përshkruhet në raport, në ato momente kishte qenë e vetme në shtëpi. Ndërsa, i dyshuari sipas Prokurorisë dyshohet se kishte kryer veprën penale të dhunimit.

Familjarja e të dyshuarit ka raportuar në Polici se “E…. sa herë që kemi mbetur vetëm më ka puthur e më ka prekur… Ai me shqelm e ka hapur derën dhe pastaj me forcë më ka dhunuar”.

Edhe një dëshmitar ka dhënë deklaratën e tij në Polici. Sipas dosjes, dëshmitari ka thënë se i dyshuari edhe më herët e kishte prekur viktimën, ndërsa në ditën kritike ishte njoftuar nga viktima për ngjarjen.

Pasi dyshohet se kishte kryer veprën penale në fjalë, i dyshuari ishte arratisur e më pas ishte dorëzuar në Polici.

Gjithashtu i njëjti sipas Prokurorisë është i përfshirë në 28 raste, në 14 nga to në cilësinë e të dyshuarit.

Që nga dita kur kur kishte ndodhur ngjarja, pra 28.11.2024, i dyshuari ishte në arrati deri më 04.12.2024. Ai aktualisht gjendet në masën e ndalimit policor.

Vepra penale – dhunimi është e dënueshme nga 5 deri më 15 vjet burgim.