Arrestohet një person në Elbasan, dyshohet për shitje të heroinës e kanabisit

Policia e Shtetit ka arrestuar një person në Elbasan, I cili po dyshohet për shitje të lëndëve narkotike, heroinë dhe kanabis.

Sipas njoftimit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat operacionale të DVP Elbasan, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara kanë konstatuar dhe goditur një rast të shitjes në doza, të lëndëve narkotike heroinë dhe kanabis, me ç’rast është arrestuar 35 vjeçari E.K.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat operacionale të DVP Elbasan, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara, në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë konstatuar dhe goditur një rast të shitjes në doza, të lëndëve narkotike heroinë dhe kanabis, për të cilin është arrestuar në flagrancë shtetasi: E. K., 35 vjeç, banues në Cërrik”- thuhet në njoftim.

Policia thotë se gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 35-vjeçarit, në lagjen “5 Maji”, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, doza të dyshuara të lëndëve narkotike heroinë dhe kanabis.

Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.