Arkiv - Policia e Shtetit

Arrestohet një person në Durrës dyshohet se vodhi në banesat e dëmtuara nga tërmeti

Policia e shtetit ka arrestuar një 35 vjeçar me inicialet Xh. K. nga Durrësi në lidhje me veprën penale të vjedhjes.

I njëjti po dyshohet për shtatë vjedhje të cilat kanë ndodhur në qytetin e Durrësit. Vjedhjet dyshohet se janë kryer në banesat e dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar i cili ndodhi në Shqipëri.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirë organizuar, në kuadër të operacionit të koduar “Pallati”, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. K., 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja””, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 35 vjeçari, gjatë muajve të fundit, ka kryer vjedhjet në qytetin e Durrësit, duke u futur në banesat e dëmtuara nga tërmeti që janë të braktisura nga banorët, ku ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme.

Sipas policisë vjedhjet janë listuar si më poshtë:

– Më datë 16.04.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet ka vjedhur në një pallat, 10 matës uji;

– Më datë 29.04.2020, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit N. K., matësin e energjisë elektrike;

– Më datë 29.05.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur matësit e energjisë elektrike në një pallat;

– Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetases A. Ll., një kondicioner;

– Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet e ka vjedhur 10 matës uji në një pallat 5-katësh në pronësi të shtetasit Sh. H.;

– Më datë 23.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur mobiliet në banesën e shtetases R. B.;

-Më datë 26.06.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit S. A.;

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.