Aksioni kundër kontrabandës në veri në vitin 2021, arrestohet një person

Një person i dyshuar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës gjatë tetorit të vitit 2021 është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Kallxo.com mëson se personi është arrestuar në pikën kufitare për llogari të sulmeve që ishin zhvilluar ndaj Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.

Gjatë atij operacioni disa policë ishin lënduar në shkëmbime të zjarrit ku ishin përdorur edhe armët e gjata.

Operacioni në atë kohë ishte zhvilluar kundër kontrabandës së barnave ndërsa gjatë operacionit policia kishte hasur në rezistencë të grupeve të qytetarëve dhe personave të maskuar.

Njësi speciale të Policisë ishin angazhuar për të qetësuar situatën ndërsa të paktën një makinë e Doganës së Kosovës ishte djegur gjatë intervenimit.

Kallxo.com mëson se personi ishte identifikaur si sulmues dhe është arrestuar. I njëjti pritet të sqarohet gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë.