Policia e Kosovës

Arrestohet një person i dyshuar për kontrabandim të 24 llojeve të barnave

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili dyshohet për kontrabandim të barnave.

Policia ka njoftuar se njësitë policore kanë arritur që ta ndalojnë automjetin e dyshuar me targa vendore në Viti.

Gjatë kontrollimit të kësaj vetura janë gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të llojeve të ndryshme.

“24 lloje të barërave si: Daleron, Xanax, Sintrom 4, Kalcium Karbonat, Dilakor 0.25mg, Andoll 100 mg, Promolut Nor 5mg, Helex 0.25 mg etj, të cilat janë sjellë në mënyrë ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e kishte pranuar informacionin se nga fshati Debëlldeh-Viti janë duke lëvizur disa automjete të dyshuara.

Pas pranimit të informatës, janë realizuar prita dhe kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe në rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë.

Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori, i cili ka urdhëruar që personi i dyshuar të ndalohet për 48 orë.

“Ndërsa malli i kontrabanduar të dërgohet në terminalin doganor. Rasti i kompletuar i dërgohet njësive kompetente për trajtim të mëtutjeshëm”- thuhet në njoftim.