Arrestohet një person i dyshuar për dhunën e shkaktuar më 29 maj 2023 në Zveçan

Policia e Kosovës ka arrestuar sot, më 24.07.2024, një person me inicialet D.D., i dyshuar lidhur me dhunën e shkaktuar më 29.05.2023 në Zveçan.

Sipas njoftimit, i njëjti është lokalizuar në rajonin e Mitrovicës së Jugut.

Tutje është bërë e ditur se ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, lidhur me rastin e sulmit ndaj autoriteteve/forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë më 29.05.2023, i identifikuar si njëri ndër personat që ka përdorur dhunë në mënyrë aktive në Zveçan.

Ai dyshohet për veprat penale:

– Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës

– Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare

– Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe

– Sulm ndaj personit zyrtar

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”- thuhet në njoftim.

 

Më 29.05.2023, 93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u sulmuan në Zveçan gjatë protestave të qytetarëve serbë, të cilët nuk pranonin që kryetarët shqiptarë të komunave të vendoseshin në objektet komunale.