Foto: Ilustrim
Arrestohet një i dyshuar për rrahjen e një 23-vjeçari në Novobërdë
Policia ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është arrestuar një person i dyshuar për lëndim të rëndë trupor.
Tutje Policia në njoftim ka dhënë edhe detaje se si kishte ndodhur rasti.
Sipas tyre, ditë më parë Stacioni Policor në Novobërdë ishte informuar se në fshatin Zebincë-Novobërdë, respektivisht në rrugën lokale që lidh fshatrat Stanishor dhe Prekoc, një 23-vjeçar me inicialet N.P., ishte sulmuar nga persona të panjohur.
“Viktima, atë natë kishte pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Gjilanit, për rastin ishte njoftuar prokurorja kujdestare dhe menjëherë kishin filluar hetimet policore për të identifikuar të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Viktima kishte njoftuar Policinë se ishte sulmuar nga tre persona të panjohur për të.
“Bazuar, në hetimet policore, lind dyshimi se pikënisje e rastit mund të ishte një ngjarje e më hershme (disa javë më herët) e ndodhur në një lokal në fshatin Strazhë, konkretisht një mosmarrëveshje në mes viktimës dhe të dyshuarit-ve”, thuhet tutje në njoftim.
Pas hetimit të rastit Policia ka arritur që të identifikojë një veturë dhe pronarin e saj ndërsa më pas kanë ftuar në polici një person i cili ka pranuar se ka qenë i përfshirë në rrahje.
Në konsultim me prokurorin, me aktvendim të tij, i dyshuari është ndaluar për 48 orë ndërsa Policia po vazhdon hetimin e rastit.