Ilustrim

Arrestohet një i dyshuar për dhunimin e 71-vjeçares në Skenderaj

Një grua 71-vjeçare dyshohet se është dhunuar para gjashtë ditëve në Skenderaj, përderisa rasti në Polici është raportuar dy ditë më vonë.

I dyshuari për këtë rast, për të cilin Prokuroria e Mitrovicës kishte thënë se dyshohet të jetë i moshës së re, është arrestuar.

Arrestimi i tij është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar një person të dyshuar” – ka thënë Zahiti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe më zëdhënësin e Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.

Ai ka treguar se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë.

“Me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Brenda afatit të paraparë ligjor, do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit” – ka thënë Preteni për KALLXO.com.

Sipas raportit policor, ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 4 nëntor 2022, rreth orës 14:30, ndërsa raportimi në Polici ka ndodhur pas dy ditëve, më 6 nëntor 2022.

Nga Prokuroria e Mitrovicës ishte thënë se personi që dyshohet se ka kryer aktin është i moshës së re.

“Viktima është e moshës rreth 71-vjeçare, ndërkaq i dyshuari për këtë rast tani për tani është i panjohur, dyshohet se është i moshës së re” – kishte thënë Preteni.

Tutje ai pati thënë se janë në trajtim të rastit dhe se për shkak të hetimeve nuk mund të japin më shumë detaje.

Në raportin 24-orësh të Policisë u tha se një ditë pas raportimit, më 7 nëntor 2022, viktima është dërguar në ekzaminim mjekësor.

71-vjeçarja në Skenderaj dyshohet se u dhunua nga një i panjohur i moshës së re